
TIRANË- Siguria ushqimore duket se është një term i panjohur për autoritetet shqiptare. Kësaj herë, probleme ka pasur edhe me makaronat "Misko". Në redaksinë e televizionit “Ora News”, një qytetare ka dërguar një video, ku duket qartë se brenda paketimit ka insekte dhe mbetje të tjera joushqimore. Qytetarja tregon se paketimi i blerë është brenda afatit të skadencës.
“Dua të ndaj me ju një shqetësim. Bëra pazarin në supermarket dhe kur shkoj në shtëpi shikoj se makaronat Misko ishin të mbushura me pislliqe. Insekte dhe mbeturina brenda makaronave. Nuk dimë me çfarë t’i ushqejmë fëmijët, tmerr. Fatmirësisht e pashë, por nëse nuk do isha treguar e kujdesshme do i kishim konsumuar. Ju lutem bëjeni publik këtë shqetësim, bëhet fjalë për jetën dhe shëndetin tonë”.
Marrë parasysh ankesën e qytetares, i është dërguar një kërkesë për informacion subjektit "AGNA Group", duke i bashkangjitur edhe foto të produktit me probleme. Në kthimin e përgjigjes, administratori i AGNA-s, Kristo Naçi mbrohet me faktin se ai dhe shoqëria që ai përfaqëson, nuk është prodhuese e këtyre produkteve por vetëm tregtuese.
"Njëkohësisht, na u kërkua që t’i tregojmë paketimin e makaronave. Për të qenë plotësisht transparent me subjektin, gazetarja që ndoqi rastin ka shkuar në subjektin “AGNA” ku ka kërkuar një takim me administratorin Z. Kristo Naçi për t’i venë në dispozicion video denoncimin e mbërritur. Nga përfaqësues të kompanisë na u bë me dije se ky takim do zhvillohej në një moment të dytë dhe për këtë do na njoftonte vetë subjekti,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Deri më tani, ende nuk ka asnjë sqarim dhe nuk dihet nëse ky ishte një rast i izoluar, apo një problem me ngarkesën në tërësi.
Muajt e fundit, AKU ka qenë një "vatër skandalesh" sa i përket sigurisë ushqimore. Përveç produkteve të skaduara që denoncohen çdo ditë nga qytetarët të cilët përballen me ta, futja e pulave me salmonelë tregoi qartë neglizhencën e institucioneve në vendin tonë. Po ashtu, disa ngarkesa eksporti janë kapur në kufi të vendeve të Bashkimit Europian dhe janë kthyer pas në vendin tonë për shkak se kishin nivele të larta pesticidesh. Por pasi janë kthyer nuk janë asgjesuar, por janë hedhur në treg për konsumatorin vendas. Së fundmi, probleme ka pasur edhe me ngarkesën e madhe të mishit me salmonelë që erdhi nga Brazili dhe u shit në të gjithë vendin.
Përpos lëvizjeve disa ditë më parë, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj lajmëroi shkrirjen totale të AKU-së./ZËRI