
TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datë 23 prill vendimin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK dhe GJKKO. Në seancën e sotme, trupa gjykuese e Kushtetueses pritej që të merrte vendimin lidhur me rasin e gjyqtarit Gerd Hoxha. Po sot, u vendos që Gjykata Kushtetuese të thërrasë si palë të tretë edhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit.
Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Gjykata Administrative që të vendoste lidhur me rastin e gjyqtarit Hoxha, i cili u skualifikua nga gara për një vend si gjyqtar në Gjykatën e Posaçme për shkak të një fotoje që kishte me kryebashkiakun tashmë të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Edhe pse fotoja ishte shkrepur në një event të ambasadës britanike në Shqipëri, sërish është marrë si provë për të skualifikuar nga gara Hoxhën, i cili më pas bëri edhe ankimimin.
Gerd Hoxha pretendon se u skualifikua dhe nuk u emërua vetëm për një foto rastësore me kryebashkiakun e arrestuar, ndaj edhe vendosi që çështjen e tij ta ndjekë të në gjitha hallkat ligjore.
Në datën 27 mars, Kushtetuesja e vënë në lëvizje prej Gjykatës administrative të Tiranës dhe me palë të interesuar Kuvendin e Shqipërisë pranoi kërkesën për të vendosur lidhur me ligjin për institucionet e posaçme SPAK dhe GJKKO. Neni 6 është diskutuar nga gjyqtari Hoxha, pasi më 24 korrik të vitit të shkuar ai u skualifikua nga gara për t'u bërë pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit. Zëvendëskryetari i gjykatës së Tiranës e vlerëson si antikushtetues vendimmarrjen e komisionit që në përbërje ka hetues, dhe që është filtri i fundit përpara se kandidatët të shqyrtohen nga KLP dhe KLGJ./ZËRI