Aktualitet

Vendoset data për seancën paraprake në GJKKO, Berisha: Vendosin avokatët shkoj apo jo

Më 24 tetor, në GJKKO, do të mbahet seanca paraprake për kreun e PD, Sali Berisha lidhur me dosjen "Partizani".

k.m.
Vendoset data për seancën paraprake në GJKKO, Berisha: Vendosin
Sali Berisha në SPAK

TIRANË- Të enjten, më datë 24 tetor në orën 12:00, kryedemokrati Sali Berisha do të duhet të shkojë sërish në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Më 24 tetor, në GJKKO, do të mbahet seanca paraprake për kreun e PD, Sali Berisha lidhur me dosjen "Partizani". Në këtë seancë paraprake, tashmë pasi SPAK ka mbyllur hetimet, gjyqtarja Fjorela Davidhi do të vendosë nëse dosja do të shkojë për gjykim apo jo. Në konferencën e sotme për media, Berisha është shprehur se do të jenë avokatët e tij, ata që do të përcaktojnë nëse do të jetë e domosdoshme paraqitja e tij në seancë.

“Do të jenë avoketërit që do të vendosin mbi domosdoshmërinë e paraqitjes time mbi seancën gjyqësore paraprake,”- tha Berisha.

Bashkë me kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, akuzë penale është ngritur për dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina. Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të "korrupsionit pasiv" të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Ndërsa ky i fundit, akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” dhe per “pastrim parash”.

Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. E gjitha është bërë në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi, që është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për pastrim parash.

Berisha dhe Malltezi ndodhen nën masën e sigurisë arrest shtëpie, që prej tetorit të vitit të kaluar. Fillimisht për Berishën u dha masa e sigurimit detyrim paraqitje, por pas refuzimit të tij për t’u paraqitur para policisë gjyqësore, GJKKO vendosi ashpërsimin e masës në arrest shtëpie, në muajin dhjetor. Ndërsa, ndryshe nga Berisha, për dhëndrin e tij u zbut masa e sigurisë, nga "arrest me burg", edhe Malltezi u la që të priste mbylljen e hetimeve në banesën e tij.

Treshes që akuzuar që në nisje të hetimeve, më 25 shtator iu bashkuan edhe Andja Pustina dhe Xhimi Begeja. Ky i fundit, një nga trashëgimtarët e tokës ku është ndërtuar kompleksi i pallateve, akuzohet për “pastrim parash”. Për të njëjtën vepër penale do të përgjigjet edhe pustina. Ajo ishte e besuara në biznesin “Home Plan”, e krijuar me një marrëveshje verbale mes Bektashit, Malltezit dhe Begeajt. Pustina përgatiste dokumentacionin, qoftë në aspektin juridik ashtu edhe financiare për kompaninë./ZËRI

Poll

MOS HUMB