
TIRANË- Avokati i Klea Prengës, 24-vjeçares që u dhunua nga motrat Antonela dhe Mariela Berisha, është shprehur se klientja e tij vijon të kërcënohet. I ftuar mëngjesin e sotëm në “Breaking”, Alfred Duka është shprehur se Klea Prenga ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike. Duka shtoi se edhe pse dy motrat u dorëzuan në polici, nuk ka pasur asnjë tentativë për të komunikuar, por që Klea ka marrë vazhdimisht kërcënime përmes disa mesazheve që i ka kallëzuar.
“Blogerja vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, është e tronditur. Dëmtimet përcaktohen si shëmtim i përjetshëm. Ka pasur edhe disa mesazhe pas ngjarjes që i ka kallëzuar. Unë jam avokati i saj, i zonjës Klea që pak ditë pas ngjarjes, përfaqësimin e kam paraqitur në organin e akuzës. Nuk ka pasur asnjë përpjekje apo tentativë për të komunikuar dikush me mua apo me Klean. Kërcënimet kanë dy natyra, nëse kërcënimi ndodh post traume, impakti është më i rëndë,”- u shpreh avokati Alfred Duka.
Antonela dhe Mariela Berisha janë vetëdorëzuar në polici. Antonela është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa Mariela, duke qenë se e goditi me gotë në fytyrë Klean është lënë në masën “arrest me burg”. Prenga u dhunua më 9 gusht, e vetëm pak ditë më parë doli dhe ekspertiza mjekoligjore për dëmet që i janë shkaktuar të resë nga dy motrat. Në ekspertizë thuhej qartë se 24-vjeçarja ka pësuar dëme të mëdha të konsideruara shëmti dhe shenja e mbetur në fytyrë e trajtimi i historisë në media, ia kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës së saj si blogere.
Mariela Berisha pretendonte se Klea Prenga kishte krijuar një marrëdhënie me bashkëshortin e saj, Mir Pepa dhe ndaj shkoi ta dhunonte. Por, 24-vjeçarja ka versionin e saj. Ajo është shprehur se në momentin që ka nisur një lidhje me Pepën, biznesmeni ka qenë i ndarë nga Mariela.