TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk ishte i pranishën në seancën e sotme në GJKKO, pasi sipas deklaratës së dërguar në gjykatë, ai refuzon të qëndrojë në kafazin e qelqtë. Veliaj kishte njoftuar se në këtë proces do të përfaqësohej nga avokati i tij, Plarent Ndrenca.
Megjithatë, as avokati Ndreca nuk u paraqit në seancë, pasi kishte paraqitur një raport mjekësor për dy ditë dhe kishte kërkuar shtyrjen e saj. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për datën 7 korrik.
Ndërkohë, gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afatave të paraburgimit për Veliajn, me kërkesë të prokurorit të SPAK, Ols Dado. Sipas prokurorisë, mungesa e mbrojtjes ligjore përbën pengesë për zhvillimin normal të procesit, ndaj u kërkua shtyrja dhe pezullimi i afateve.
“Ka pengesë për zhvillimin e procesit pasi mungon avokati i të pandehurit Veliaj. Gjykata duhet të shtyjë procesin dhe të pezullojë afatet e paraburgimit”, tha Dado.
Kjo është seanca e tretë radhazi që GJKKO vendos pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn. Gjykata, ndërkohë, ka rrëzuar edhe kërkesën për transmetim live të seancës dhe për daljen nga ambienti i sigurisë gjatë procesit.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI