FUSHË-KRUJË - Policia e Tiranës në bashkëpunim me RENEA-n kanë zhvilluar gjatë orëve të natës një operacion në fshatin Zallë të Fushë-Krujës për kapjen e 49-vjeçarit Ylli Zalla. Po edhe këtë herë Zalla ka arritur t’i shpëtojë operacionit policor. RENEA dhe forcat e policisë kishin marrë informacion për vendndodhjen e tij, por 49-vjeçari ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Në banesën e tij është gjetur Fatmir Alla, 55 vjeç, i cili e ndihmonte të fshihej dhe e njoftonte për Policinë. Blutë kanë arrestuar edhe vëllain e Ylli Zallës, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor në shëpërthimin me tritol më 10.06.2026 në Lezhë. Konkretisht lënda plasëse u vendos në një ambient të hapur tokë në Balldren të Lezhës. Vëllai i Ylli Zallës do të hetohet në gjendje të lirë.
Kush është Ylli Zalla
Zalla rezulton i shpallur në kërkim edhe për dy arsenale armësh një në Zall dhe një në Nikël. 49-vjeçari rezulton person me precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi, si dhe njihet edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.
Arsenali i tij në Nikël u zbulua tre ditë pas atentatit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Ndërkohë dyshohet se mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës.
Njoftimi i policisë:
Operacioni, mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e 49-vjeçarit.
Në operacion DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Y. Z., në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Y. Z., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit Y. Z.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


