VLORË-Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e raportuar nga ZËRI, ku më 30 korrik një turiste humbi jetën në Himarë.
Ashtu si ZËRI raportoi, Policia njofton se turistja 33-vjeçare kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën. Autoritete njoftojnë se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë:
Nisur nga një lajm i publikuar në media në lidhje me humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, sqarojmë opinionin publik se:
Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.
Nga veprimet e kryera paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme.
Në lidhje me këtë rast, nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.
