VLORË – Temperaturat e larta këtë të hënë kanë prekur qytetin e Vlorës me 41 gradë Celsius. Temperaturat e larta kanë detyruar Shërbimin Zjarrfikës të Bashkisë Vlorë të ndërmarrë një aksion për të lehtësuar sadopak efektet e vapës.
Mesditën e sotme, një automjet zjarrfikës ka dalë në zonën e Skelës, ku ka spërkatur ujë në ajër dhe mbi rrugë, duke krijuar një freski të përkohshme për qytetarët dhe pushuesit që ndodheshin në këtë zonë.
Nisma u prit pozitivisht nga të pranishmit, të cilët prej ditësh po përballen me temperatura ekstreme që kanë përfshirë qytetin bregdetar. Autoritetet vijojnë t'u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet gjatë orëve të drekës dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të përballuar të nxehtin./ZËRI