DURRËS-Aksioni i lirimit të hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në Durrës ka mbetur pezull. Shkak është bërë urdhri i kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e të gjithë drejtorëve në bashkinë e Durrësit dhe atyre të ndërmarrjeve të varësisë, si dhe drejtorëve rajonalë.
Sot nuk është shënuar asnjë aksion në terren dhe pse u deklarua se aksioni do të vazhdojë duke u shtrirë në të gjithë Durrësin. Dorëheqja e drejtuesve e ka vendosur institucionin në një fazë pritjeje dhe paqartësie.
Drejtorët duhet të paraqesin dorëheqjen dhe të qëndrojnë në dispozicion të vlerësimit nga komisioni që do drejtohet nga drejtuesja politike e qarkut Durrës, kryebashkiakja Emiriana Sako dhe kryesueset e listës fituese të qarkut deputetet Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi.
Një ditë më parë pas takimeve në Fier me drejtuesit vendor, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime edhe në Durrës, ku u prit nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako. Ashtu si në Fier, edhe në Durrës Rama kërkoi largimin e drejtuesve aktualë të institucioneve në varësi të Bashkisë./ZËRI