Aktualitet

U shpall 'non grata' në Shqipëri, reagon Ikballe Huduti dhe i përgjigjet Ramës: Dal në protestë kundër padrejtësive!

Huduti shprehet se çdo qytetarë ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

zh.ll
U shpall 'non grata' në Shqipëri, reagon Ikballe Huduti dhe
ikballe berisha huduti

TIRANË- Ikballe Berisha Huduti ka reaguar pasi autoritetet shqiptare e shpallën 'person të padëshiruar' në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare, me argumentin se aktiviteti i saj përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe interesat e vendit.

Përmes një mesazhi publik drejtuar kryeministrit Edi Rama, Huduti deklaron se angazhimi i saj në protesta nuk lidhet me interesa personale apo përfitime, por me bindje patriotike dhe qytetare. "Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim", shprehet ndër të tjera Huduti.

Huduti shprehet se çdo qytetarë ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik. Ndërsa në vijim u bën thirrje autoriteteve shqiptare dhe udhëheqësve botëror që të dëgjojnë zërin e qytetarëve të revoltuar. 

Reagimi i plotë:

I nderuar Kryeministër Edi Rama.

Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.

Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.

Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.

Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.

Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.

Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.

As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerr urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, për Igballe Huduti (Berisha). Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama reagoi, duke komentuar praninë e Hudutit në protestat e zhvilluara në Tiranë. Përmes rrjeteve sociale, Rama shkruan se Huduti në emër të fesë predikon urrejtje, thërret për kryengritje kundër qeverisë shqiptare dhe kërkon hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani./ZËRI

Poll

MOS HUMB