DURRËS-Aksidenti tragjik me tre viktima në Manzës, të Durrësit ka marrë edhe vëmendjen e mediave italiane. Konkretisht shoferi Kleo Vrioni dhe bashkëshortja e tij italiane, Sara Brugnatelli, humbën jetën në një aksident tragjik në Manëz të Durrësit, bashkë me 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri një ditë më parë. Dyshja ishin martuar vetëm disa ditë më parë (të dielën), por miqtë e tyre në Itali nuk kanë pasur djeni.
25 vjeçari Kleo Vrioni, jetonte në Ponte San Pietro që kur ishte 18 vjeç. Ai punonte si murator dhe jetonte me qira në një apartament modest në Via Garibaldi, shumë pranë bashkisë, aty ku Sara Brugnatelli, një 26-vjeçare nga Erbusco që punon në Arcaplanet në Curno, vinte shpesh. Ata u martuan të dielën, pikërisht në Shqipëri, shkruan Corriere della Sera.
Ervist Myrtaj, një 21 vjeçar shqiptar dhe fqinj i viktimës ka deklaruar se Vrrioni nuk i kishte treguar për dasmën.
"Kleo as nuk na kishte treguar për dasmën; ndoshta ata preferonin ta mbanin private. E njihja prej një viti e gjysmë. Darkonim bashkë, ndonjëherë dilnim në bar. Atij i pëlqente peshkimi. Sara nuk jetonte këtu, ajo qëndronte disa ditë dhe pastaj kthehej në Erbusco tek i ati. Në një rast, ajo na tha se ai ishte i sëmurë dhe se duhej të kujdesej për të. Në Bergamo, Kleo kishte një vëlla, tani në burg. Ai la pas edhe prindërit dhe një motër. Përpara se të transferohej në Via Garibaldi, ai kishte jetuar për disa vjet në Via Sant'Anna", tregon Myrtaj.
Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi, të cilët janë transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Mësohet se të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në Gjirin e Lalëzit, ku kishin qenë për të parë performancën e reperit Cllevio.