TIRANË- Pas një vendimi të formës së prerë nga GJKKO për dënimin me 6 vite e 8 muaj burg, Greta Gjoci (Pepa) ëshë dërguar këtë të mërkurë në burgun e Pojskës. Por, rasti i saj ka ngjallur reagime pasi bashkë me të ndodhet edhe foshnja e saj 3-muajshe.
Greta Gjoci është një prej 6 grave, mes 16 të pandehurve të grupit të Bruno Çobos, të akuzuar dhe dënuar për zhvatjen e 4.7 milionë eurove të qytetarëve italianë përmes Call Centerave.
Më 5 tetor, në të njëjtën ditë kur Apeli i GJKKO la në fuqi masat "arrest me burg" për të pandehurit, mbrojtja e Gjocit ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit. Në kërkesë, mbrojtja ka argumentuar duke u mbështetur në nenin 476 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit "kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit derisa fëmija të mbushë një vjeç".
Në kërkesë, mbrojtja thekson se foshnja është në moshë delikate dhe izolimi do të cenonte në mënyrë të pariparueshme shëndetin, jetën dhe zhvillimin e fëmijës së mitur.
“Foshnja është në një moshë tejet delikate (3 muajsh) dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes ekskluzive me gji nga nëna e tij (kërkuesja). Izolimi i menjëhershëm i nënës në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale do të cenonte në mënyrë të pariparueshme shëndetin, jetën dhe zhvillimin e fëmijës së mitur. Kërkuesja ka respektuar me rigorozitet maksimal masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ dhe nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Ajo kërkon thjesht mbrojtjen që ligji i ofron foshnjës së porsalindur”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.
Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga Avokati i Popullit, duke bërë me dije se një grup pune i Mekanizmit për Parandalimin e Torturës ka shkuar në burgun e Pojskës për të verifikuar situatën dhe rrethanat e rastit.
“Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, konkretisht Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, po shkon në burgun e Pojskës, për të verifikuar situatën lidhur me dënimin e një zonje, që është njëherësh edhe nënë e një foshnje 4 muajshe”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Greta Gjoci akuzohet për veprat penale “mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Në total janë 6 gra të përfshira, ndërsa mësohet se masa deri tani është ekzekutuar vetëm për 4 prej tyre.
Në vitin 2023, ndaj Gjocit u caktua masa e “arrestit në shtëpi”, të cilën ajo e mbajti për më shumë se tre vjet deri në vendimin përfundimtar. Fillimisht Gjoci u dënua me 10 vite burgim. Sot, pavarësisht nënë e një foshnje 3 muajshe dhe mbi 3 vite në "arrest shtëpie", GJKKO i Apelit e dënoi përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg.
Më 5 tetor, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet e dhëna për 16 të pandehurit pjesë e grupit të Bruno Çobos të cilët mashtruan qytetarët europianë përmes Call Center. Bëhet fjalë për një dënim në total me më shumë se 100 vite për të 16-të të pandehurit. Kreu i grupit u dënua me 8 vite burg, ndërs të pandehurit e tjerë me dënime nga 7 vite e 4 muaj burg deri në 6 vite e 8 muaj.
Skema e mashtrimit funksiononte përmes telefonatave që bëheshin nga grupi i Bruno Çobos, dhe qytetarëve u propozohej blerja online e aksioneve “Amazon”, me premtimin e fitimit të shumave të majme dhe të shpejta./ZËRI
