
TIRANË- "Jep dorëheqjen, ik, ik!,"-këto ishin thirrjet e qytetarëve që po protestojnë për vrasjen e Martin Canit nga bashkëmoshatari i tij. Siç duket edhe nga pamjet e protestës së sotme, qytetarët kanë hedhur bojë të kuqe në rrugë dhe shenja duarsh me gjak në muret e Ministrisë së Arsimit.
MOMENTI ME VIDEO:
Disa herë, teksa folësit iu drejtoheshin turmës, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe të Sporteve, Ogerta Manastirliu. Por nga kjo e fundit, nuk ka asnjë reagim.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI