Aktualitet

"Tryeza për SPAK"/ Dumani: Cënimi i pavarësisë rrezikon kufijtë kushtetues! Manja: Duam llogari. Gonzato: Të ndalet presioni

Në tryezën e organizuar kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi se çdo veprim i prokurorëve kontrollohet nga gjykata, ajo e Shkallës së parë, e Apelit, apo e Lartë.

F.I
"Tryeza për SPAK"/ Dumani: Cënimi i pavarësisë
PAMJE NGA TAKIMI

TIRANË- Sot u zhvillua takimi mbi vlerësimin e arkitekturës institucionale të Prokurorisë së Posaçme, me fokus tek performanca, integriteti dhe garancitë për pavarësinë e saj. Në tryezën e organizuar kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi se çdo veprim i prokurorëve kontrollohet nga gjykata, ajo e Shkallës së parë, e Apelit, apo e Lartë.

Sipas tij, marrëdhënia me ILD është një marrëdhënie institucionale, ka ushtruar tri kontrolle në Prokurorinë e Posaçme ka dalë edhe me tri rekomandime dhe ata si institucion i kanë marrë në konsideratë. Gjithashtu Dumani tha se për prokurorët e posaçëm janë trajtuar nga ILD 61 raste. Ai tha se sa i takon KLP kanë një marrëdhënie shumë të mirë. 

Altin Dumani: Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me instucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi që dmth se prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë drejtuesit i SPAK, përjashtuar në disa momente hetimi. Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo. Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK. Nuk jam dakord me këtë vlerësim, pjesërisht i përmbushur, por roli aktik i këtij mekanizmi duhet të gjëjë më shumë pasqyrim në raportet vjetore të SPAK. Çdo rekomandim i Kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë. Po të shikoni raportet e SPAK, do të gjeni edhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo ata duhet të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive, në mënyrë që të sigurohet komunikim institucional. Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.

Në tryezë i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili deklaroi se reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria në rrugën e integrimit, por shtoi se është e nevojshme që të ruhen këto hapa pozitivë. Gonzato vlerësoi se kjo reformë ka krijuar një balancë mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, por shtoi se nevojitet ende shumë punë për zbatimin e plotë të saj.

Ambasadori foli edhe për ecurinë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në vlerësimin e prokurorëve sipas performancës, ndërsa theksoi se kriteret si efikasiteti, etika dhe aftësitë menaxheriale duhet të shqyrtohen në mënyrë të strukturuar.

Silvio Gonzato: Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin. Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë. Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë. Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem. Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë. Së pari theksoj arritjet e KLP që kam pasur kënaqësi ta takoj në formatin e vet të plotë kohët e fundit. Vlerësimi ynë tregon se KLP ka pasur ecuri domethënëse në krahasim me vitet e mëparshme për vlerësimin e prokurorëve. Edhe vlerësimet e prokurorëve bazohen te performanca e tyre. Këto tregues duhet të jenë objekt i shqyrtimeve të strukturuara dhe metodologjike. Psh kritere si efikasiteti i çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë mund të kërkojnë përshtatje dhe kemi besim se KLP do t’i bëjë këto rishikime. Por pjesa e llogaridhënies nuk mbetet në mënyrë ekskluzive mbi shpatullat e KLP, prandaj kemi inkurajuar dhe ILD dhe Shkollën e Magjistraturës. Kemi mirëpritur se takime të tilla janë bërë më të shpeshta duke shënuar hap të rëndësishëm përpara sa i takon llogaridhënies.

Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë, Uli Manja vlerësoi reformën në drejtësi, veçanërisht rolin e SPAK, por theksoi se pavarësia duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies. Manja u shpreh se llogaridhënia vlen për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetëreferencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit.

Uli Manja: Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK. Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale. Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit. Në këtë kuadër, koordinimi ndërinstitucional merr një rëndësi të veçantë. Ministria e Drejtësisë, si pjesë themeltare e kësaj arkitekture ndërinstitucionale, ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit të balancuar të sistemit – për të siguruar që institucionet të kenë burimet, rregullimin dhe mbështetjen e nevojshme për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ishte pjeszë e tryezës së diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”. Spiropali tha se Kuvendi ndan të njëjtin vlerësim me raportin e KE-së, për të adresuar më shumë progres në këtë luftë, në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si në thirrjen për të ndaluar intimidimet ndaj këtyre institucioneve.  

Elisa Spiropali: Kuvendi i Shqipërisë ndan të njëjtin vlerësim e mbështetje me Raportin e Komisionit Europian për nevojën e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë; Për arritjet e deritanishme dhe vijimin e hetimeve në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, si një prioritet i rëndësishëm; Për pavarësinë e plotë të institucioneve të përfshira në luftën kundër korrusionit dhe inkurajimin e forcimin e kapaciteteve të tyre operacionale dhe investiguese; Për thirrjen për ndalimin e avazit të etiketimeve e sulmeve gati të përditshme, që synojnë të intimidojnë, ndikojnë dhe minojnë punën e SPAK-ut. Për rritjen e mbështetjes dhe të besimit publik për gjyqtarët e prokurorët, si premisa për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e integrimit europian të Shqipërisë. SPAK, GJKKO dhe organet e reja të drejtësisë i kanë dhënë më shumë legjimitet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Poll

MOS HUMB