TIRANË- Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e dytë të operacionit të koduar 'Last post', duke goditur tre raste të dyshuara të prostitucionit të reklamuar përmes rrjeteve sociale dhe të ushtruar në apartamente me qira ditore.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, mes tyre tre shtetase të huaja dhe një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se shfrytëzonte një prej grave për ushtrimin e prostitucionit.
Sipas Policisë, aktiviteti dyshohet se reklamohej në rjetet sociale, ndërsa apartamentet merreshin me qira ditore në zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe katër telefona celularë të ciëlt dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit të paligjshëm.
Më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Finalizohet faza e dytë e operacionit të koduar “Last post”. Goditen 3 raste të tjera të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit të ushtruar në apartamente me qira ditore, në kryeqytet. Arrestohen 3 shtetase vietnameze dhe braziliane, për ushtrim të prostitucionit.
Në pranga dhe 1 shtetas shqiptar që shfrytëzonte për këtë veprimtari, njërën prej shtetaseve vietnameze të arrestuara. Sekuestrohen 4 celularë që dyshohet se përdoreshin për reklamimin e kësaj veprimtarie, në rrjete sociale.
Në vijim të verifikimeve, punës operative dhe asaj hetimore, kryer në terren dhe në hapësirën digjitale, me objektiv konstatimin dhe goditjen e rasteve të reklamimit në rrjete sociale, të prostitucionit të ushtruar në apartamente me qira ditore, në lagje të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan fazën e dytë të operacionit të koduar “Last post”.
Gjatë kësaj faze u arrestuan shtetasit:
-I. L., 25 vjeçe, shtetase braziliane, dhe U. L., 42 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se kishin përshtatur apartamente të marra me qira ditore, për ushtrim të prostitucionit, në rrugët “Xhoxhi Martini” dhe “Milan Shuflaj”;
-E. H., 35 vjeç dhe Th. H., 37 vjeçe, shtetase vietnameze, pasi dyshohet se 35-vjeçari shfrytëzonte 37-vjeçaren, për ushtrim të prostitucionit në një apartament të marrë me qira ditore, në rrugën “Him Kolli”.
Më tej, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI