TIRANË- Protestat në Shqipëri po tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe po bëhen pjesë e titujve kryesorë.
Një shembull i fundit është përzgjedhja e një fotografie nga prestigjozja The Guardian në rubrikën “Foto e Ditës”, e realizuar gjatë protestës së 10-të radhazi kundër qeverisë.
"Mijëra protestues morën pjesë në ditën e 10-të radhazi të demonstratave në Tiranë, Shqipëri, kundër një zhvillimi të propozuar të turizmit luksoz të lidhur me Jared Kushner", shkruhet krahas fotos.
Në foto duken mijëra qytetarë që mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë. Fotografia është vlerësuar për intensitetin dhe masivitetin e pjesëmarrësve, duke i dhënë protestës jehonë ndërkombëtare.
Protesta e njohur si “Revolucioni i Flamingove” vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së mediave, duke u shfaqur në edicione, portale dhe video në rrjetet sociale./ZËRI