TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 8 prillit lidhur me ankimin e ish-Presidentit Ilir Meta, i cili kishte kundërshtuar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe pretendimet për mënyrën e ekzekutimit të saj.
Me shumicë votash, gjykata ka lënë në fuqi vendimin për masën e sigurisë, duke rrëzuar kërkesën e Metës për shpalljen e saj antikushtetuese.
Sipas vendimit, bëhet fjalë për një ndarje të gjyqtarëve 5-3. Konkretisht, rezulton se gjyqtaret Marjana Semini dhe Marsida Xhaferllari kanë votuar në favor të pranimit të kërkesës, ndërsa 5 gjyqtarë të tjerë janë shprehur kundër saj. Gjyqtarja Sonila Bejtja ka mbajtur një qëndrim të veçantë, duke u rreshtuar pro kërkesës së ish-Presidentit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se ekzistojnë elemente të mjaftueshme që krijojnë dyshim të arsyeshëm për përfshirjen e Metës në veprat penale për të cilat akuzohet, duke konsideruar se masa e sigurisë është e justifikuar. Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin, se ajo është vendosur për një qëllim të ligjshëm dhe nuk është joproporcionale.
Ndërkohë, pjesa e ankesës që lidhet me mënyrën e arrestimit nuk është shqyrtuar në themel, pasi Kushtetuesja ka vlerësuar se kjo çështje është ende objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës dhe duhet të ndiqet më parë në shkallët e zakonshme të gjyqësorit.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit 2024, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI
