TIRANË-Seanca për dosjen e “Sterilizimit” është shtyrë për më 23 janar. Në seancën e sotme mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, me argumentin se ajo nuk ka vendosur në dispozicion të saj vendimin e arsyetuar të ndryshimit të akuzës dhe nuk ka treguar ku janë faktet e vjedhjes apo të grupit të strukturuar kriminal.
Gjykatësja Davidhi ka theksuar se nuk është e detyruar ta bëjë të ditur këtë informacion në këtë fazë të procesit. Seanca u shty për shkak të shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e Davidhit, kërkesë që do të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër.
Lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej më shumë se një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të 'check up' po e heton prokurorja Elida Kaçkini.
Më 18 mars, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë në dosjen e 2 koncensioneve. Por aktualisht, Beqaj është në burg që prej datës 4 korrik, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Detyrë që e ka mbajtur pasi liroi postin si ministër i Shëndetësisë. Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar./ZËRI