TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar raportin vjetor. Sipas raportit vjetor gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, ndërsa rreth 570 janë të mbartura nga viti 2024. Po ashtu, janë sekuestruar 45.5 milion euro, ndër to edhe kriptomonedha, të krimit të organizuar.
"Gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është më e ulët krahasuar me vitin paraardhës, duke zbritur nga rreth 65 milionë euro, në rreth 45.4 milionë euro. Nga totali i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara për vitin 2025, vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Përgjatë vitit 2025, nuk janë dhënë vendime për sekuestrimin e pasurive në lidhje me vepra penale të korrupsionit të thjeshtë, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara të zyrtarëve të lartë është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara të tyre është rreth 100,000 euro", bëhet me dije.
Ndërsa, në luftën kundër Korrupsionit, gjatë vitit 2025, janë hetuar 27 raste të procedimeve penale me 30 persona nën hetim apo të pandehur, të cilët janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë.
"Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të
reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë ta lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike", thuhet në raport.
Sa i përket hetimeve financiare, gjatë vitit 2025, pranë SPAK janë regjistruar 13 procedime pasurore dhe janë trajtuar 18 referime pasurore. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë hetuar gjithsej 70 procedime penale, me 27 persona nën hetim. Po ashtu janë ekzaminuar me laboratorin digjital 375 celular që janë bllokuar në funksion të hetimeve të ndryshme bashke me 65 kompjutera dhe 63 USB dhe CD. Në raport bëhet me dije se me vendim gjykate në përgjim gjatë vitit 2025 u vunë 3004 numra telefoni./ZËRI