
TIRANË- Biznesmeni dhe ish-zyrtari, Ergys Agasi ka bërë reagimin e tij të parë pas lajmit se bizneset dhe banesa e tij është kontrolluar nga SPAK. Në një prononcim për "CNA", Agasi u shpreh se është i hapur për hetime nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Po ashtu, shtoi se është vënë në dispozicion të drejtësisë.
“E kam thënë që në krye të herës. Jam i hapur për çdo lloj hetimi dhe vihem në dispozicion të organeve të drejtësisë. Sot është ushtruar kontroll në një nga aktivitetet e mia, të blera pak kohë më parë, që është përfshirë në një hetim penal nga SPAK. Siç e theksova, jam i hapur për çdo lloj hetimi,”-reagoi Agasi.
Ndërkohë nga ana e SPAK, ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar nga SPAK. Po ashtu, nuk dihet se përse akuzohet Agasi. Ndërkohë burime jo zyrtare në media të tjera raportojnë se ka pasur edhe urdhër-arreste të prera nga SPAK, por nuk dihet me saktësi nëse kanë arrestuar apo jo, Ergys Agasin apo persona të tjerë./ZËRI