
BELGJIKË- Drejtësia belge ka dënuar me 17 dhe 14 vite burg dy të pandehurit kryesorë për grupet e kontrabandës së drogës nga vendet e Amerikës Latine për në Belgjikë. Më shumë se 120 të pandehur nga Belgjika, Shqipëria, Kolumbia dhe Afrika e Veriut u shpallën fajtorë se ishin pjesë e grupit. Sipas Brussels Times, ky është gjyqi më i madh korrektues në historinë e Belgjikës. Në grupin e parë, ai që u dënua ishte algjeriani Abdelëahab Guerni, një nga drejtuesit e dyshuar, i cili u burgos për 17 vjet.
Ndërsa shqiptari Eridan Munoz Guerrero u dënua me 14 vjet. Ky i fundit e pranoi fajin në nisje të seancës duke i thënë Gjykatësit: I nderuar, luajta, humba!
Avokatja e tij, Nathalie Gallant, e cila në nisje të seancës kërkoi mëshirë për klientin e saj, e përshkroi vendimin si "të drejtë", duke shtuar se dënimi i klientit të saj pasqyronte bashkëpunimin e tij me autoritetet.
Gjyqtarët dhanë dënime me më shumë se 700 vjet në total për të gjithë të pandehurit. Vetëm 9 nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm, ndërsa 119 të tjerë morën dënime me burg që varionin nga disa muaj deri në më shumë se 15-20 vjet me një sërë akuzash, duke përfshirë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafik droge, trafik armësh dhe tentativë zhvatjeje.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e pasurisë që arrin në dhjetëra milionë euro.
"Është një gjykim jashtëzakonisht i ashpër,”- tha për AFP Gilles Vanderbeck, një avokat që përfaqësoi një nga drejtuesit e dyshuar të trafikut, duke vënë në dukje numrin e ulët të të shpallurve të pafajshëm dhe dënimeve me kusht.
Gjatë seancës, u zbulua se droga u transportua në kontejnerë nga Amerika e Jugut dhe Maroku dhe më pas u kontrabandua përmes porteve në Belgjikë, veçanërisht pranë portit gjigant të Antëerp-it. Por gjithashtu droga transferohej edhe në Holandë, Gjermani dhe Francë. Anëtarët e grupit komunikonin me aplikacionet e koduara "SkyECC" dhe "Enchrochat".
Duke depërtuar në rrjetin e mesazheve, autoritetet belge kanë zbuluar mënyrën sesi vepronte grupi. Por avokatët mbrojtës e kanë cilësuar aksionin si një "marifet publiciteti" nga prokurorët, të cilët ata i akuzojnë se i kanë bashkuar pa nevojë çështjet që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Prokurorët këmbëngulin se kanë prova se grupi kishte një "strukturë dhe hierarki". Po sipas tyre, ishin një dyzinë personazh që drejtonin anëtarët e grupit, mes tyre Guerni dhe shtetasi shqiptar Eridan Munoz Guerrero./ZËRI