
LEZHË- Familja e Kristjan Cenaj, të riut të vënë nën akuzë për vrasjen dhe groposjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në Fushe-Kuqe të Kurbinit ka folur për herë të parë në lidhje me ngjarjen e rëndë. Babai i tij tha se Kristjani është i pafajshëm dhe është dënuar pa prova.
“Djali im është dënuar pa prova. Prokuroria e Gjykata ma ka dënuar pa prova. I kam bërë letër prokurorisë, KLGJ, kanë dënuar,"-tha Tonin Cenaj për "Report TV".
Tonin Cenaj tha se ai po ashtu ka kontaktuar me familjen e Gjonaj në lidhje me këtë çështje dhe të veprojnë në bazë të zakonëve, ku të betohen në kishë për pafajsinë. Ai iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë së të gjejnë vrasësin e vërtetë të 16-vjeçarit.
Po ashtu edhe avokati i Kristjan Cenaj, Edmond Buna tha se klienti i tij u tregua i gatshëm të punojë me drejtësinë për të gjetur provat. Ai tha se nuk ka asnjë provë që të tregojë se vrasësi është 32-vjeçari.
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm në korrik Kristjan Cenajn. Ky i fundit akuzohet për vrasjen makabre të 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në vitin 2015. Kristjan Cenaj u prangos në Rinas pasi prej vitesh jetontë në Itali. Në momentin që ai është nisur drejt Shqipërisë ku dhe do të merrte pjesë në dasmën e një të afërmi në Mamurras, Policia e Shtetit është vënë në dijeni. Me mbërritjen në Rinas, atij i është komunikuar urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kurbin.
Vrasja e Mariglen Gjonaj u zbardh shtatë vite pasi kishte ndodhur dhe pak muaj nga gjetja e eshtrave të adoleshentit në Fushë Kuqe, në prill të vitit 2022. Nga ekspertiza u mësua se 16-vjeçari ishte dhunuar në mënyrë makabre dhe një goditje në kokë. Sipas hetimeve, Cenaj ka dashur t’i grabisë Gjonajt orën e llojit ‘Rolex’ dhe varësen e floririt që mbante në qafë. Ai hipi në makinë me të ditën që adoleshenti po nisej për ekskursion me shokët, por në Fushë Kuqe, e sulmoi, e vrau dhe e la të groposur. /ZËRI