
TIRANË- Sekuestrohet apartamenti i Ilir Beqajt në Vlorë! Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka identifikuar si pasuri të Beqajt një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë. Bëhet fjalë për një apartament me 90.8 m2 dhe verandë 61.2m2. Sipas SPAK, kjo pronë është blerë me porosi, pasi në vitin 2017 Beqaj ka dhënë paraprakisht 6,700,000 lekë të reja për ta rezeruar. Po sipas SPAK, në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e Beqajt dhe bashkëshortes së tij që ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Shpenzimet apo investimet e kryera për mobilimin e apartamentit nuk janë deklaruar nga Beqaj. Për 2 vite, çifti Beqaj ka investuar në apartament 5,064,700 lekë (po ashtu të reja). Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe Adriana Beqaj (bashkëshortja e Ilir Beqajt). Por pavarësisht se kishin lidhur kontratë qeraje, Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë deri në fillim të vitit 2019.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kontrolluan apartamentin në korrik, ndërsa reagimi i parë erdhi nga avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, i cili tha prona mbi të cilën është ushtruar kontroll dhe janë vendosur shiritat e verdhë nuk është e Beqajt, pasi është marrë me qira në vitin 2020, ndërsa shton se kontrata e saj ka mbaruar dhe ish-ministri nuk e përdorte më atë banesë.
“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën. Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020”,- thuhet në reagimin e avokatit të Ilir Beqaj.
Për Yzeiraj kërkesa e SPAK për të ushtruar kontroll në këtë apartament që nuk rezulton në pronësi të ish-ministrit Ilir Beqaj është e paligjshme dhe një tentativë e dëshpëruar për të gjetur me çdo kusht një arsye që Beqaj të mbahej në burg.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023. Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin. Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim I.B apo personat e lidhur me të.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë: Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë. Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë. Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019. Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.
Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës./ZËRI