TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga goditja e Call Center-it në rrugën e Kavajës, Tiranë ku 4 operatorë u vendosën në pranga, ndërsa pronari u shpall në kërkim. Përmes platformës online, ata mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europianë për t’u marrë para nëpërmjet investimit në bursa fiktive.
Më pas operatorët i merrnin sërish klientët e mashtruar në telefon duke iu prezantuar si avokatë, duke i marrë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro. Gjatë aksionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari.
Efektivët e policisë kanë hyrë në ambientet e Call Center-it në Rrugën e Kavajës ku kanë kapur në flagrancë 4 punonjës: Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç. Ndërkohë në kërkim është shpallur pronari Taulant Beleraj, 45 vjeç, ndërsa një 23-vjeçare është nën hetim në gjendje të lirë.