Aktualitet

Goditet 'Call Center' te Rruga e Kavajës, 4 në pranga, në kërkim pronari Taulant Beleraj

Përmes platformës online, ata mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europianë për t’u marrë para. 

F.I
Goditet 'Call Center' te Rruga e Kavajës, 4 në pranga,
pamje nga operacioni policor

TIRANË-Një Call Center mashtrues është goditur në rrugën e Kavajës, Tiranë në një operacion të ndërmarrë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Efektivët e policisë kanë hyrë në ambientet e Call Center-it në Rrugën e Kavajës ku kanë kapur në flagrancë 4 punonjës: Emirjon Xhafa, 40 vjeç, Genci Ndoni, 42 vjeç, Ekzon Dervishi, 32 vjeç dhe Eroll Hyslihaka, 31 vjeç. Ndërkohë në kërkim është shpallur pronari Taulant Beleraj, 45 vjeç, ndërsa një 23-vjeçare është nën hetim në gjendje të lirë. 

Përmes platformës online, ata mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europianë për t’u marrë para. Policia ka sekuestruar 13 kompjuterë, 19 celularë dhe 7 laptopë.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “INVESTING”.

Goditet një tjetër rast mashtrimi nëpërmjet platformave online.

Vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim pronari i ambientit dhe procedohet në gjendje të lirë 1 shtetase.

Sekuestrohen 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe një sërë veprimesh hetimore e procedurale, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “INVESTING”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një ambient, në rrugën e Kavajës, i përshtatur me poste pune, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit E. Xh., G. N., E. D. dhe E. H., si dhe shtetasen E. A., të cilët dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, nëpërmjet platformave online.

Nga hetimet rezultoi se ambienti ishte në pronësi të shtetasit T. B., i cili, në bashkëpunim me shtetasit e mësipërm, e administronte atë me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi T. B., 45 vjeç, ndërsa shtetasja E. A., 23 vjeçe, u procedua në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 19 aparate celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB