
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zëvendësuar masën e sigurisë "arrest shtëpie" për mjekun e spitalit Onkologjik, Edmond Gashi. Në seancën e sotme në GJKKO, Gashi është liruar me garanci pasurore 20 mln lekë, por i është bllokuar pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi që të largohet nga vendit.
Çfarë ka ndodhur tek Onkologjiku?
Mjekët e punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin. Në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit, është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar. Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Aktualisht, me urdhër të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mjekët dhe koordinatori i spitalit të Onkologjikut janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve./ZËRI