Aktualitet

Siguroi kushtet për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, 7 vite burg për Erio Zejnon

Sipas vendimit të Gjykatë së Posaçme, Zejno u gjet fajtor për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

F.I
Siguroi kushtet për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis
Leonard Luzi dhe Inez Hajrulla

TIRANË-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg shtetasin Erio Zejno, i akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve. Zejno është pjesë e grupit kriminal që planifikoi vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashajn në Vlorë më gusht të 2023-it.

Sipas vendimit të Gjykatë së Posaçme, Zejno u gjet fajtor për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”. Fillimisht, Gjykata e dënoi me 11 vite burg në total, por për shkak se procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, ku dënimi përfundimtar u caktua 7 vite e 4 muaj burg.

Lidhur me ngjarjen Gjykata e Posaçme dënoi me nga 11 vite Leonard Luzin e Muharrem Korroveshin dhe 2 vite e 9 muaj burg Amarildo Nikollin, i cili fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe u lirua. Luzi dhe Koroveshi u shpallën fajtor si personat që ishin të interesuar për vrasjen e Inez Hajrullës dhe Ervis Matodashaj.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Erio Zejno, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve E.M, i njohur me pseudonimin “****”, dhe I.H i njohur me shkurtim emri “****”, ose me nofkën “****”; “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal”; “Grupi i strukturuar kriminal” në rolin e pjesëmarrësit; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 278/1, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal”. 2. Gjykimi i kësaj ?ështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Irena Gjoka dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 47, datë 04.06.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve E.M, dhe I.H, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 7 (shtatë) vjet burgim. – – – Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi 1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij 10 (dhjetë) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Erio Zejno për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Erio Zejno me një dënim të vetëm prej 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim. – Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Erio Zejno, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

2. Në lidhje me provat materiale, gjykata është shprehur në vendimin e saj nr. 4 datë 10.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.

3. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak në shumën 37,785 lekë (tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e pesë) lekë i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim (nr.148/1 të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme), si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi, i ngarkohen të pandehurit Erio Zejno.  

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. 

Poll

MOS HUMB