KORÇË-Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dolën një një konferencë për shtyp sa i takon ngjarjes së rëndë në Maliq, ku efektivi i Shqiponjave, Enea Mekolli u vra nga gjatë një operacioni policor. Hita bëri me dije se ka nisur një hetim për procedurat standarde lidhur me Violand Braçellarin, autorin e vrasjes së efektivit në Maliq të Korçës.
Drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi se nuk kishte djeni kur ndodhi operacioni, pasi u krye nga Policia e Korçës. Hita thekson se kanë qenë 40 forca policie, të gjithë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.
Skënder Hita: Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë. Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike. Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij. Kam urdhëruar drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor. I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër, Edison Adri. Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë. Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës. Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë “Shqiponja”. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat. Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin. Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim.