GREQI-Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një ndërtese në zonën e Plakës, Athinë, ku si pasojë 4 persona kanë humbur jetën ndërsa 3 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Shpërthimi ndodhi pak para orës 08:00, në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në rrugën “Lysikratous”, përballë Shtyllave të Zeusit Olimpik, raportojnë mediat greke. Forca e shpërthimit shkaktoi shembjen e godinës, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur lehtë nga copëzat e materialeve të shpërndara.
Nga rrënojat janë nxjerrë të pajetë tre shtetas shqiptaro amerikanë të cilët gjendeshin në Athinë për turizëm. Tre shqiptarët janë Florin Hoxha e Florida Hoxha (motër e vëlla) dhe Eris Cani. Mes viktimave është edhe një 77-vjeçar britanik, i cili jetonte në katin e dytë të ndërtesës së bashku me bashkëshorten e tij 78-vjeçare, e lindur në Athinë.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në zonën përreth. Xhamat e ndërtesave fqinje janë thyer, ndërsa disa automjete të parkuara në rrugën Lysikratous kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Policia ka vendosur kufizime dhe masa për menaxhimin e trafikut në zonë.
Në operacion janë angazhuar rreth 30 zjarrfikës me gjashtë automjete, mes tyre dy mjete speciale të njësisë së parë të EMΑΚ, si dhe tre qen të trajnuar për kërkim dhe shpëtim.




Ekipet e shpëtimit po përdorin pajisje speciale për zbulimin e tingujve nën rrënoja, si dhe kamera për të kontrolluar hapësirat e shembura. Makineritë e rënda ndalohen herë pas here dhe krijohet qetësi në zonë, në mënyrë që shpëtuesit të mund të dallojnë çdo sinjal të mundshëm nga personat që mund të jenë ende nën rrënoja.
Shkaqet e shpërthimit po hetohen nga autoritetet greke. Sipas të dhënave paraprake, dyshimi kryesor lidhet me një rrjedhje të gazit natyror, por hetimi për të përcaktuar saktësisht se çfarë e shkaktoi shpërthimin vijon.