TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni "Shkolla të pastra" për goditjen e shpërndarëve se lëndëve narkotike pranë shkollave. Gjykata e Tiranës caktoi sot masën e sigurisë "arrest me burg" për 31 personat e arrestuar një ditë më parë, ndërsa detaje të reja kanë çuar në zbulimin e skemës së tyre.
Rreth 52 persona, ndër të cilët 38 janë arrestuar dhe 14 janë shpallur në kërkim, mësohet se vepronin të ndarë në të paktën 8 grupe të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sipas burimeve, personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim dyshohet se vepronin në disa zona të Tiranës, përfshirë Laprakën, Brakën, Jordan Misjen, Selitën, Yzberishtin, Alliasin, Tregun Elektrik dhe Qytetin Studenti.
Mësohet se në secilin prej këtyre grupeve, 3 deri në 4 persona dyshohet se ishin shitës të lëndëve narkotike. Grupet bashkëvepronin mes tyre, të cilët sipas hetimeve, kur njëri prej tyre nuk kishtë lëndë narkotike në dispozicion, klientët orientoheshin drejt grupeve të tjera.
Por, agjentë të infliltruar dhe blerje të stimuluara, arritën të dokumentonin aktivitetin e grupeve. Ndërkohë, në kuadër të hetimeve, janë goditur 5 persona të dyshuar si furnizues të rrjetit janë goditur nga autoritetet. Ferit Xhani, i njohur me nofkën "Luizi", është identifikuar si njëri prej furnitorëve, i cili rezulton me precend penal për drogë dhe plagosje. Gjithashtu, i përfshirë edhe me një rol kryesor është edhe ish-efektivi i policisë, Engrid Henaj, i cili rezulton i përjashtuar nga radhët e policisë disa vite më parë për plagosje.
Siç bëri me dije policia në njoftimin zyrtar, shpërndarësit kamufloheshin me monopatina, taksi apo shërbime 'delivery' për të shmangur vëmendjen e autoriteteve.
Ndërkohë, hetimet për operacionin po vijojnë, teksa deri tani janë identifikuar 52 persona si pjesëtarë të grupeve të dyshuara. 38 prej tyre kanë përfunduar në pranga, 7 prej tyre ishin arrestuar më herët, ndërsa 14 janë në kërkim./ZËRI

