TIRANË-Shërbimi Informativ Shtetëror nuk po gjen qetësi, ku pas pezullimit dhe arrestimit të ish-drejtoreshës Vlora Hyseni, agjentët po përballen me një skandal tjetër. Grupi i hakerëve "Homeland Justice" ka publikuar materiale ku pretendohet se ndodhen fatura të Vodafone me lista të gjata numrash telefoni, që dyshohet se lidhen me punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Alarmi është ngritur nga eksperti për sigurinë kibernetike Besmir Semanaj. Eksperti shkruan se në rast se provohet që të dhënat e shpërndara janë autentike, ateherë siguria e vetë agjentëve dhe operacioneve të ndërmarra nga SHISH është në rrezik.
"Nëse këto të dhëna konfirmohen si autentike, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrjedhje të zakonshme informacioni. Kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e agjentëve, të burimeve dhe të operacioneve të një institucioni të inteligjencës. Kërkoj që SHISH-i dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të deklarojnë publikisht nëse materialet janë autentike dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e personave të prekur. I kërkoj gjithashtu çdokujt që i ka këto materiale të mos i shpërndajë. Çdo shpërndarje e mëtejshme i shërben pikërisht qëllimit të atyre që i publikuan”- shkruan Besmir Semanaj.

Edhe në nëntor të vitit 2022, hakerat iranianë (Homeland Justice) publikuan të dhëna dhe lista që përfshinin emrat dhe numrat e telefonit të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Dokumentet përmbanin emra, pozicione, dhe numra kontakti të agjentëve.