Aktualitet

Shoqërimet pas protestës, Policia me njoftim zyrtar: Shtynë dhe goditën me vezë, domate e gurë efektivët

Policia thotë se ata nuk i janë bindur thirrjes që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe kanë vijuar me veprimet e dhunshme ndaj policëve.

F.I
Shoqërimet pas protestës, Policia me njoftim zyrtar: Shtynë dhe
pamje nga protesta para Kuvendit

TIRANË-Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimet e protestuesve pas tensioneve gjatë tubimit para Kuvendit. Në Polici janë shoqëruar tetë persona, ku blutë njoftojnë se ata kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë në shërbim. 

Policia thotë se ata nuk i janë bindur thirrjes që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit dhe kanë vijuar me veprimet e dhunshme ndaj policëve. Policia e Shtetit deklaron se vijon të monitorojë situatën dhe u ka bërë apel protestuesve që të respektojnë ligjin dhe të mos përdorin dhunë gjatë protestës.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit hartoi planin e masave për garantimin e perimetrit të sigurisë, si dhe të rendit e sigurisë gjatë tubimit të paralajmëruar nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, që u mbajt para Kuvendit të Shqipërisë ditën e sotme.

Gjatë tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim.

Punonjësit e Policisë, në zbatim të ligjit për tubimet, u kanë bërë thirrje, nëpërmjet megafonit, këtyre shtetasve që të mos vijonin veprimet e kundërligjshme ndaj punonjësve të Policisë dhe të zbatonin urdhrat e ligjshëm të Policisë, që të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe të mos bllokonin rrugën. Këto urdhra nuk janë zbatuar nga disa prej pjesëmarrësve në tubim.

Në këto kushte, punonjësit e Policisë, në zbatim të procedurave standarde të punës, me qëllim neutralizimin e veprimeve të dhunshme të disa prej pjesëmarrësve në tubim, kanë përdorur spraj individual policor dhe, në vijim të veprimeve, kanë shoqëruar, deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme.

Shërbimet e Policisë po kryejnë detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm, për të garantuar rendin, sigurinë dhe ushtrimin e së drejtës së çdo qytetari për të protestuar paqësisht.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për pjesëmarrësit në tubim që të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, pasi çdo veprim i kundërligjshëm do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Poll

MOS HUMB