Aktualitet

Banorët e Kelmendit në protestë kundër ndërtimit të 3 hidrocentraleve: Mos e prekni Cemin (VIDEO)

Pikërisht për këtë arsye, banorët kanë kundërshtuar vijimin e projekteve Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara, duke kërkuar që punimet të ndalen dhe vendimmarrja të rishikohet.

M.K.
Banorët e Kelmendit në protestë kundër ndërtimit
PROTESTOJNE BanorëT E fshatit Vukël në Kelmend

MALËSI E MADHE- Banorët e Kelmendit kanë dalë në protestë për të kundërshtuar projektet hidroenergjetike që parashikojnë ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë lumit Cem. Tubimi është zhvilluar në Vukël ku banorët kanë shprehur shqetësimin për ndërhyrjet që po kryhen në zonë dhe pasojat që, sipas tyre, mund të sjellin për lumin dhe territorin përreth.

Për komunitetin lokal lumi Cem nuk është vetëm një burim natyror, por pjesë e drejtpërdrejtë e jetës dhe ekonomisë së zonës. Pikërisht për këtë arsye, banorët kanë kundërshtuar vijimin e projekteve Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara, duke kërkuar që punimet të ndalen dhe vendimmarrja të rishikohet.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Në protestë kanë marrë pjesë edhe organizata mjedisore dhe këshilltarë bashkiakë. Protestuesit kanë kundërshtuar përdorimin e makinerive të rënda në zonë, ndërsa kanë kërkuar që para çdo ndërhyrjeje të merret në konsideratë ndikimi që projektet mund të kenë mbi ekosistemin.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me troftën e mermertë, specie e rrezikuar që e ka habitatin në këtë zonë. Banorët argumentojnë se ndërhyrjet në lumin Cem mund të cenojnë habitatin e saj dhe të ndryshojnë ekuilibrin natyror të një prej zonave me vlera të veçanta mjedisore.

Por shqetësimi i tyre nuk ndalet te mjedisi. Sipas banorëve, projektet mund të kenë pasoja edhe për aktivitetet ekonomike të komunitetit, veçanërisht për bujqësinë dhe blegtorinë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me burimet natyrore të zonës.

Në qendër të kundërshtimeve është edhe mënyra se si, sipas banorëve, janë ndjekur procedurat për miratimin e projekteve. Ata pretendojnë se komuniteti nuk është përfshirë në mënyrë të mjaftueshme në konsultime dhe se nuk është bërë një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis.

Për këtë arsye, banorët kanë depozituar një peticion pranë institucioneve, përmes të cilit kërkojnë anulimin e projekteve dhe më shumë transparencë në proces. Ata kërkojnë gjithashtu që në vlerësimin e tyre të përfshihen komuniteti dhe ekspertë të pavarur.

Një tjetër kërkesë e protestuesve lidhet me mbrojtjen e territorit të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”. Ata kërkojnë që kuadri ligjor mbrojtës për këtë zonë të forcohet dhe çdo projekt që prek burimet natyrore të shqyrtohet me një standard më të lartë mbrojtjeje./ZËRI

Poll

MOS HUMB