TIRANË- Protesta e opozitës para Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve, deputetëve demokratë dhe forcave të policisë ndërsa pas tubimit 11 qytetarë janë ndaluar dhe janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë.
Ndalimet erdhën pas momenteve të tensionuara të regjistruara gjatë protestës ku situata në disa raste doli jashtë kontrollit. Protestuesit u përplasën me efektivët e policisë, ndërsa në terren pati edhe shtyrje mes qytetarëve dhe deputetëve të opozitës.
Gjatë përplasjes, forcat e rendit përdorën edhe spraj me piper ndaj protestuesve, ndërsa policia vijoi ndërhyrjen për të mbajtur të kontrolluar situatën pranë godinës së Kuvendit.
11 qytetarët e ndaluar ndodhen aktualisht në Komisariatin Nr. 1, ndërsa në ambientet e komisariatit ka shkuar edhe avokatja e Partisë Demokratike Eda Grimci e cila është interesuar për situatën e tyre.
Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të plota mbi veprimet konkrete që kanë çuar në ndalimin e secilit prej protestuesve, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë informacion lidhur me procedurat e policisë ndaj tyre./ZËRI