Aktualitet

Sherr me sende të forta e thikë te ish-Parku/ Një i plagosur, 3 në pranga, çfarë ndodhi mbrëmë në Tiranë

I plagosuri 33-vjeçar ndodhet në spitali nën kujdesin e mjekëve, ndërsa janë arrestuar 3 autorët e dyshuar.

F.I
Sherr me sende të forta e thikë te ish-Parku/ Një i plagosur, 3
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Një konflikt mes disa personave ka përfunduar me plagosjen me thikë të njërit prej tyre në zonën e ish-Parkut në Tiranë, mbrëmjen e 6 korrikut. Në sherrin e dhunshëm me sende të forta janë përfshirë 5 persona, ku situata ka agravuar në përdorimin e thikës, duke bërë që njëri prej tyre të mbetet i dëmtuar.

I plagosuri 33-vjeçar ndodhet në spitali nën kujdesin e mjekëve, ndërsa janë arrestuar 3 autorët e dyshuar. Konkretisht në pranga janë vendosur Luciano Nurçja 46 vjeç, Albert Lika 44 vjeç dhe Enea Kurti, 23 vjeç. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhe një 17-vjeçar, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. 

Njoftimi i policisë:

U konfliktuan me sende të forta dhe mjet prerës, për motive të dobëta, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në hyrjen e një parkimi të një pallati, në rrugën “Frosina Plaku”, disa shtetas ishin konfliktuar me sende të forta dhe njëri prej tyre kishte përdorur mjet prerës, organizoi menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u dokumentua ngjarja dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit L. N., 46 vjeç, A. L., 44 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. I., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. L., 17 vjeç, i dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Poll

MOS HUMB