Aktualitet

2 orë protestë në Theth! Pronarët kundër prishjes së bujtinave, përplasen me Policinë: Ku të mbytemi ne?!

Të gjithë pronarët e bizneseve kanë bllokuar rrugën në urën kryesore të hyrjes në fshatin turistik.

k.m.
2 orë protestë në Theth! Pronarët kundër prishjes
Pamjet nga Thethi

SHKODËR- Për më shumë se 2 orë, banorët e Thethit kanë dalë në protestë për shembjen e kabinave dhe bujtinave të tyre nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit, ku nuk kanë munguar as shtyrjet dhe përplasjet me efektivët e Policisë së Shtetit. Të gjithë pronarët e bizneseve kanë bllokuar rrugën në urën kryesore të hyrjes në fshatin turistik, ndërsa pjesë e tubimeve janë bërë edhe turistët që kishin shkuar për të pushuar, por në fakt në vend të qetësisë kanë gjetur kaos edhe shembje. Turistët e huaj duket se e kanë gjetur të drejtë kauzën e tyre, ndaj edhe kanë vendosur që të bëhen pjesë me "bujtësit" e tyre. 

"Bëni shumë mirë që protestoni, prandaj ju jemi bashkuar. Kjo luginë është e juaj dhe duhet që të mbetet e juaja. Jemi në anën tuaj, faleminderit që na keni pritur,"-tha një nga disa turistet e huaja që ndodhet sot në Theth dhe që i është bashkuar pronarëve të bizneseve.

Banorët kërkuan që shteti të ndalë prishjen e objekteve, aksion të cilin e cilësuan si masakër që po kryhet në mes të sezonit turistik.

"Në mes të sezonit kur ndodh kjo punë. Në fund të sezonit ulemi e flasim, por jo sot. Ku të shkojnë këta njerëz që janë brenda? Ku ndodh kjo masakër? Kjo është e papranueshme, është qesharake. Kujt po i bëjmë reklamë? Kjo është anti-reklamë. Kemi sakrifikuar për të ndjenjur në këtë vend. Ne e kemi ndërtuar. Të ardhmen tonë, fëmija jonë, ku do të rrimë, ku do të shkojnë turistat? Në tokën tonë kemi ndërtuar, nuk na e ka falur kush. Ç'të bëjmë nesër, të bëjmë krime, të përfundojmë nëpër burgje? Ku të iki kjo popull, kjo rini? Ju po provokoni turistin e Thethit, çfarë doni të promovoni shpopullimin e vendit, ku të ikë kjo rini? Ky është mundi, djersa dhe gjaku jonë. Po na e morët këtë, na merrni jetën. Ne po kërkojmë më minimalen dhe po na mohohet,”- tha ai.

Ndërsa një tjerë  nga banorët, ka shpërthyer në lot përpara kamerave, duke u shprehur se të gjithë kursimet e një jete, para të marra edhe borxh, janë derdhur pikërisht në këtë biznes që po i prishet. Ai ngulmon se nuk ka ndërtuar në beton, por vetëm në materiale ekologjikë në pronën e tij.

“Shpenzimet e gjithë jetës, jam mbytur në borxhe e tashmë po na i prishin të gjitha. Kam shtëpi druri pa beton pa asgjë. I kam vendosur tokën time. Kemi kërkuar leje por na kanë thënë të presim. Toka është e imja, e trashëguar brez pas brezi. Kërkojnë ndihmë nga shteti që të mos na i prishë se dalim në rrugë të madhe. Kjo është e vetmja mënyrë që të fitoj jetesën. Unë jam i pamundur për të jetuar, kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Na ka mbetur veç të vdesim. Ne nëpërmjet protestës kërkojmë që shteti të na lërë të jetojmë. Vetë kanë thënë të vijnë nga jashtë dhe të investojmë, unë nuk jam i ardhur, jam këtu. Toka është e imja 2-300-vjeçare. Unë kam investu ça kam investu. Jo beton, vetëm dru. Siç kanë thënë ashtu kemi investuar. Tani nuk kam më asnjë para për të investuar”, tha ai.

2 orë protestë në Theth! Pronarët kundër prishjes
Pamje nga protesta

Në mbështetje të banorëve ishte deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli, e cila debatoi me drejtuesit e Policisë së Shtetit për t'i lënë pronarët që të protestojnë për të drejtat e tyre. Ajo kërkoi që të mos pengohej protesta, por pretendimet se saj nuk janë pranuar nga uniformat blu.

“Edhe këto janë në përmbushje të të drejtës së tyre kushtetuese. Asnjë shtyrje atje. Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre,”- tha ajo.

Protesta e sotme ishte e paralajmëruar që dje në kuadër të kundërshtimit të aksionit të IKMT-së, të cilët edhe sot kanë shkuar në terren për të prishur disa ndërtime pa leje në zonën turistike të fshatit. Dje, banorët kërkuan negociata dhe dialog me instancat dhe Bashkinë e Shkodrës, por duket se kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

Aksioni, i inciuar nga kryeministri Edi Rama, do të vijojë pasi në total do të prishen 40 objekte të ngritura në këtë Park Kombëtar. Por banorët janë kundër.//ZËRI

Poll

MOS HUMB