
STRUGË- Raste të reja dhune ndaj të miturve po raportohen në media dhe në rrjetet sociale. Një rast i ri dhunë ndaj një nxënësi të klasës së 6-të është raportuar në shkollën “Zini Hani” në Veleshtë në Strugë të Maqedonisë së veriut.
“Fëmija i pambrojtur torturohet nga bashkëmoshatarët, mos të na përsëritet rasti “Martin Cani”
-Dy vite djaloshi i klasës së 6 duron tortura psikike dhe fizike nga bashkëmoshatarët e tij.
-Rasti është paraqitur tek organet kompetente, por nuk merren masa.
-Për drejtorinë e shkollës fillore “Zini Hani” ky problem nuk duket aq serioz”, shkruajnë banorët.
Rasti i rëndë i Martin Canit duhet të funksionojë si një kambanë alarmi për autoritetet e drejtësisë në mënyrë që të shmanget një tragjedi tjetër e njëjtë.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ka ndodhur dy ditë më parë. Të rinjtë ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr. Viktima, Cani kishte kërkuar ndihmë nga shoku i tij, Luis Meçe, i cili nga një shkollë tjetër kishte shkuar tek "Fan Noli". Kështu mes të treve nisi një konflikt që përfundoi me përdorimin e thikës. Tashmë, për ngjarjen, nesër në orën 11.00 është parashikuar një protestë që do të nisë nga shkolla "Fan Noli" dhe do të përfundojë tek Ministria e Arsimit. /ZËRI