
FIER- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji kërkon lirinë me kusht në Gjykatën e Fierit. Kur kanë kaluar më shumë se 10 muaj nga burgosja e tij, Salianji kërkon lirinë me argumentin se ka ezauruar 2/3 e dënimit. Por seanca e sotme në burgun e Fierit u shty për shkak se mungonte raporti i vlerësimit nga burgu i Fierit. Atje ku Salianji ka zgjedhur që të vuajë dënimin.
"Sot ishte seanca e parë, mungonte raporti i vlerësimit nga burgu i Fierit dhe u shty për disa ditë, për të martën, që Burgu i Fierit të sjellë raportin. Të pranishëm ishin të gjithë palët, ne bëmë relatimin e kërkesës tonë. Ai i plotëson të gjitha kushtet për ta fituar lirinë me kusht para kohe,"- tha avokati Braho.
Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t'u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Gjyqi zgjati për disa vite për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rremë. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit./ZËRI