Aktualitet

Plarent Ndreca del nga SPAK: Jam thirrur si person në dijeni për një hetim! S'ka të bëjë me takimet me Veliajn (VIDEO)

I pyetur nëse kjo çështje ka të bëjë me takimet e zhvilluara në burg me kryebashkiakun e arrestuar të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt, Ndreca e ka mohuar një gjë të tillë.

f.i;f.m
Plarent Ndreca del nga SPAK: Jam thirrur si person në dijeni për
Plarent Ndreca

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, u paraqit në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një deklaratë të shkurtër për mediat pas daljes nga prokuroria, Ndreca u shpreh se ishte thirrur “në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e një çështjeje që po hetohet për persona të tretë”. Sipas tij, nuk mund të japë detaje për arsyen e thirrjes së tij në SPAK, duke shtuar se: Bëhet fjalë për një çështje që vijon të jetë nën hetim.

I pyetur nëse kjo çështje ka të bëjë me takimet e zhvilluara në burg me kryebashkiakun e arrestuar të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt, Ndreca e ka mohuar një gjë të tillë.

Pjesë nga prononcimi:

Plarent Ndreca: U thirra si person në dijeni, për rrethanat e një hetimit.

Për zotin Veliaj që e keni takuar në ambientet e paraburgimit?

Jo nuk është kjo, por është çështje në hetim, unë jam në cilësinë e personit që ka dijeni.

Nuk ka lidhje me hetimin për tenderin që iu kanë marrë të pandehur?

Jo, jo!

Për çfarë hetimi?

Nuk mund ta them se nuk më lejohet se me shumë dëshirë e thoja, është me të tretë, nuk është me mua.

Edhe në një postim të bërë në rrjetet sociale, pas daljes në SPAK, Ndreca ka mbajtur të njëjtin version.

“Ju lutem mos keqinformoni opinionin publik (sigurisht, jo të gjithë ju). Siç e kam sqaruar edhe në dalje nga Prokuroria e Posaçme, prezenca ime aty sot kishte të bëjë me dhënien e sqarimeve lidhur me disa rrethana të një hetimi në zhvillim për persona të tretë. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë time parlamentare, as me vizitat e kryera në këtë funksion. Thirrja e një deputeti për të dhënë sqarime në një institucion kushtetues si Prokuroria e Posaçme, ashtu si edhe përgjigjja ime vullnetare ndaj kësaj thirrjeje, nuk përbën as lajm, as diçka të jashtëzakonshme. Është pjesë e marrëdhënies normale institucionale që përcakton vetë Kushtetuta. Nga ana tjetër, ky respekt për institucionet nuk e përjashton, përkundrazi, e nxit detyrimin për t’i vëzhguar ato nga afër veçanërisht në mënyrën se si ushtrojnë kompetencat e tyre. Kjo mbetet pjesë thelbësore e veprimtarisë sime parlamentare, deri në ditën e fundit të mandatit. Veprimtari që do të ushtrohet në ditët në vijim përmes publikimit të sjelljeve të disa institucioneve kushtetuese, të cilat në këndvështrimin tim, me heshtjen ndaj shkeljeve, veprojnë në kundërshtim me mandatin e tyre kushtetues dhe brënda një qasje korporatiste, që vetëm drejtësisë për njerzit nuk i shërben,”- shkruan ai.

Ndreca, që më parë ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, po hetohet nga SPAK për abuzime me tendera publikë gjatë kohës në detyrë. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. 

Ndreca akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve. Sipas SPAK, deputeti socialist dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Gjon Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk, ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore. Radovani sikurse thuhet në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB