Aktualitet

Nis çmontimi Uzinës së Bakrit në Rubik! Pajisjet dhe lënda e parë dalin në ankand, pasi godina i kaloi KAYO-s

Vlera fillestare e ankandit është caktuar në 19,223,618 lekë (pa TVSH).

Redaksia Zëri
Nis çmontimi Uzinës së Bakrit në Rubik! Pajisjet dhe
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- “Albbakër” sha ka shpallur një ankand publik për shitjen e makinerive, pajisjeve industriale dhe skrapit të hekurit që ndodhen në repartet e ish-Uzinës së Rafinimit të Bakrit në Rubik. Ankandi do të zhvillohet më 26 qershor 2025, ora 12:00, në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, objekti i shitjes përfshin një sasi të konsiderueshme pajisjesh industriale të instaluara në periudhën 1966–1980, të cilat kanë qëndruar të papërdorura që nga ndërprerja e aktivitetit në vitin 1999.

Shitja bëhet “siç janë”, në gjendjen aktuale fizike dhe teknike, pa garanci për funksion apo rikuperim. Asetet janë të amortizuara rëndë për shkak të kushteve atmosferike dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Vlera fillestare e ankandit është caktuar në 19,223,618 lekë (pa TVSH). Të drejtë pjesëmarrjeje kanë vetëm subjektet juridike me eksperiencë mbi tre vite në çmontim, transport dhe përpunim të pajisjeve industriale, që përmbushin kriteret e vendosura nga autoriteti shitës.

Ky ankand zhvillohet menjëherë pasi qeveria shqiptare vendosi t’i kalojë truallin dhe asetet e mbetura të “Albbaker” kompanisë “KAYO”, e cila operon në sektorin e prodhimit të armëve. Pajisjet e mbetura industriale po likuidohen përmes ankandit.

Kështu, ndërsa kompania “KAYO” përfiton asetet tokësore të ndërmarrjes, pjesa tjetër, përfshirë makineritë dhe strukturat metalike, shitet për skrap në treg të hapur./Skyweb

Poll

MOS HUMB