TIRANË- Rrjeti rajonal SafeJournalists ka reaguar lidhur me sulmin ndaj gazetarit investigativ Elton Qyno. SafeJournalists ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit, i cili, sipas deklarimeve të tij, ishte kërcënuar me jetë nga Dubai dhe më pas u dhunua nga bashkëshortja e Florenc Çapjas, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan.
Në reagimin publik, rrjeti rajonal ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për nisjen e hetimeve dhe shpalljen në kërkim të autores së dyshuar. Gjithashtu, SafeJournalists ka theksuar se sulmet ndaj gazetarëve për shkak të detyrës nuk duhet të tolerohen.
Reagimi i SafeJournalists
"SafeJournalists dënon sulmin fizik ndaj gazetarit investigativ Elton Qyno, më 30 korrik në Tiranë.
Mirëpresim reagimin e shpejtë të Policisë së Shtetit, nisjen e menjëhershme të hetimeve dhe shpalljen në kërkim të autores së dyshuar për veprën penale 'Goditja për shkak të detyrës'.
Presim një hetim të plotë, vendosjen e përgjegjësisë dhe marrjen e masave të nevojshme për sigurinë e Qynos. Sulmet ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre nuk duhet të mbeten pa ndëshkim."
Gazetari u sulmua mesditën e djeshme në Tiranë. Sipas burimeve, autorja e dyshuar është bashkëshortja e Florenc Çapjas, e cila dyshohet se e ka goditur pranë Spitalit Amerikan 3. Pas ngjarjes, Qyno ka bërë kallëzim në polici, ndërsa autorja është shpallur në kërkim.
Elton Qyno ka deklaruar se para sulmit kishte marrë vazhdimisht mesazhe kërcënuese nga persona që, sipas tij, lidhen me grupin Çapja. Më herët, ai ka publikuar materiale investigative mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe grupin Çapja. Gazetari është përfshirë gjithashtu në një proces me SPAK, pas hetimit të tij në kuadër të një dosjeje që lidhej me grupin e Suel Çelës./ZËRI
