TIRANË- Gazetari Adriatik Doçi ka depozituar ditën e djeshme në SPAK një kallëzim penal ndaj deputetit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Doçi kërkon që Shehaj të hetohet nga SPAK për veprat e dyshuara penale të deklarimit të rremë ose fshehjes së pasurisë, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Bëhet me dije se gazetari disponon dokumente që mbështeten në analizën e deklaratave të pasurisë së Shehajt për periudhën 2021–2025. Po ashtu, kallëzimi shoqërohet edhe me dokumente kadastrale, tregtare dhe financiare që lidhen me veprimtarinë dhe pasurinë e tij në Itali.
Pjesë e kallëzimit është edhe një vilë në Forte dei Marmi, në Itali.
Sipas dokumentit të depozituar në SPAK nga gazetari, deputeti e ka deklaruar pronën me sipërfaqe 251 metra katrorë dhe vlerë 2.9 milionë euro në vitin 2021, ndërsa në vitin 2025 është deklaruar e shitur për 15 milionë euro. Doçi pretendon se, sipas dokumentacionit kadastral italian, vila ka një sipërfaqe totale prej 459 metrash katrorë, ndryshe nga sipërfaqja prej 251 metrash katrorë e pasqyruar në formularët e deklarimit.
Gazetari ka shkuar edhe më tej, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë pronësinë e vilës, kontratat e shitjes dhe të riblerjes, zbulimin e identitetit të pronarit tjetër, çmimin real të vilës, si edhe mënyrën se si janë kryer pagesat. Sipas dokumenteve italiane të cituara nga Doçi, kreu i Partisë Mundësia rezulton se është bërë sërish pronar i vilës më 7 korrik 2026, më pak se dhjetë muaj pasi kishte deklaruar shitjen e saj për 15 milionë euro.
Gazetari kërkon gjithashtu që të hetohen edhe veprimet bankare të Shehajt për periudhën 2021–2025.
Sipas kallëzimit të depozituar, rezulton se për shuma në vlerën rreth 3.9 milionë euro, të deklaruara gjatë viteve 2021–2025, formularët publikë nuk përmbajnë identifikimin e burimit konkret të fondeve, të subjektit pagues dhe të marrëdhënies juridike që ka gjeneruar këto pagesa. Dokumenti i referohet gjithashtu një kredie bankare prej 2.6 milionë eurosh, shlyerjes së një detyrimi mbi 3.6 milionë euro, dhënies së huave në vlera milionëshe, si dhe investimeve të reja në pasuri të paluajtshme në Itali.
Si nisi debati për vilën e Shehajt?
Çështja e pasurisë së Shehajt është sjellë në vëmendje edhe në dy seancat e fundit të Kuvendit nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili i kërkoi publikisht kreut të Partisë Mundësia që të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, sipas të cilit ai ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro.
Shehaj reagoi publikisht për vilën e tij. Me dokumente në duar, ai tha se vilën e kishte blerë në vitin 2019 për 2.9 milionë euro, me një sipërfaqe prej rreth 250 metrash katrorë, dhe më pas shpjegoi investimet që ka kryer ndër vite. Sipas tij, një vit më vonë e shembi objektin ekzistues dhe investoi rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një vilë të re me sipërfaqe rreth 500 m², të cilën, pas pesë vitesh, e shiti për 15 milionë euro. Ai u shpreh se gjithçka është e dokumentuar dhe e kontrolluar, duke shtuar se në Itali askush nuk mund t'i shmanget ligjit. Shehaj deklaroi se ky investim është realizuar me punë të ndershme dhe se transparenca e tij duket se ka shqetësuar kundërshtarët politikë.
Vila e Shehajt, e cila ka ndezur debatin me Ballën, ndodhet në Forte dei Marmi, në plazh, në një nga zonat më të shtrenjta të Italisë. Në këtë zonë, çmimi nuk lidhet vetëm me metrat katrorë të ndërtesës, por sidomos me truallin, privatësinë, afërsinë me detin dhe karakteristikat e veçanta të pronës./ZËRI