TIRANË- Gazetari investigativ Elton Qyno është sulmuar mesditën e djeshme në Tiranë. Sipas burimeve, personi i dyshuar për sulmin është bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Ngjarja ka ndodhur pranë ambienteve të Spitalit Amerikan 3, ku po sipas burimeve, gruaja dyshohet se fillimisht e ka goditur gazetarin me telefon dhe më pas me çantë e sende të tjera.
Pas incidentit, Qyno ka bërë kallëzim penal në polici, ndërsa pas marrjes së pamjeve filmike, policia ka shpallur në kërkim autoren e dyshuar.
Gazetari ka deklaruar se para sulmit kishte marrë në mënyrë të përsëritur mesazhe kërcënuese nga persona që, sipas tij, lidhen me grupin Çapja.
Më herët, Qyno ka publikuar materiale investigative mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe grupin Çapja. Ai është përfshirë gjithashtu në një proces me SPAK, pas hetimit të tij në kuadër të një dosjeje që lidhej me grupin e Suel Çelës./ZËRI