SARANDË- Një 53-vjeçar nga fshati Rusan i Delvinës rezulton i zhdukur prej ditës së djeshme, ndërsa familjarët e tij kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij.
Bëhet fjalë për Polo Shkrepën, i cili, sipas familjes, është parë për herë të fundit në Delvinë, ku ka konsumuar një kafe dhe më pas është larguar me një fugon në drejtim të Sarandës. Që nga ai moment, familjarët kanë humbur çdo kontakt me të, ndërsa telefoni i 53-vjeçarit rezulton i fikur.
Familjarët kanë denoncuar rastin në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur verifikimet për gjetjen e 53-vjeçarit. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion për vendndodhjen e Polo Shkrepës, të njoftojnë menjëherë Policinë e Shtetit ose të kontaktojnë me familjen.