VELIPOJË- Telat me gjemba kanë rrethuar një sipërfaqe toke në Rrjoll të Velipojës, pikërisht në kantierin ku po ndërtohet resorti 'Blue Borgo' nga biznesmeni dhe botuesi, Bashkim Ulaj.
Bëhet fjalë për të njëjtën tokë që e pretendojnë banorët e fshatit Rjoll dhe për të cilën kanë protestuar që prej muajit shkurt.
Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar sërish reagime dhe shqetësim mes komunitetit, pasi banorët pretendojnë se po u kufizohet aksesi në pronat që i konsiderojnë të trashëguara ndër breza.
Banorët kanë publikuar pamje të rrethimit me tela me gjemba dhe e denoncojnë këtë veprim si të paligjshëm. Për ta kundërshtuar situatën, ata kanë njoftuar një protestë kombëtare të shtunën, më 13 qershor, në orën 11:00 në Rrjoll.
“Kur njerëzit bashkohen për të mbrojtur të drejtën dhe dinjitetin e tyre, asnjë mur, gardh apo pengesë nuk është më e fortë se vullneti i një populli të bashkuar”, thuhet në thirrjen e banorëve.
Kjo situatë vjen pas ngjarjeve të ngjashme në Zvërnec, ku rrethimi me tela me gjemba u hoq pas dhunimit të një protestuesi nga një policie private e pankontraktuar nga investitorët. Mosveprimi i Policisë së Shtetit gjatë protestës së banorëve solli shkarkime dhe nisje të hetimeve.
Sa i përket situatës në Rrjoll, banorët protestojnë kundër ngritjes së resortit turistik, duke e cilësuar si grabitje të pronës së tyre nga kjo kompani. Banorët shprehen se zotërojnë dokumentacion të rregullt për 400 dynym tokë me vendim gjykate të vitit 2006.
Një fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër dhe ka sipërfaqe prej 147.2 hektarësh. Në 31 dhjetor të vitit 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës./ZËRI