
TIRANË- Avokati Radovan Çela është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit. Çela akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Ndaj tij nga GJKKO, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Vendimi i GJKKO, për Radovan Celën:
Caktimin ndaj personit nën hetim Radovan Çela, (në cilësinë e avokatit), të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i)“Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer dy herë, një herë e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal; (ii)“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer pesë herë, kryer në bashkëpunim katër herë, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021).
Avokati është pjesë e dosjes “Toyota Auris”, në të cilën janë të përfshirë edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Eriona Daupaj dhe Astrit Vladi. Të pandehurit akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro cash, para që erdhën të futura në thasë e të fshehur në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë.
SPAK i akuzon po ashtu edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY EÇ që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK. Gjatë hetimeve u zbuluan komunikimet e të pandehurve për çështjet, ndërsa u pyetën dhe një numër i lartë gjyqtarësh e prokurorësh, si dhe njerëz të politikës, të cilët përmendeshin në komunikimet mes të pandehurve, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova./ZËRI