Aktualitet

"Qitës profesionist nga dhoma e hotelit...'/ Ekzekutimi i biznesmenit Reçit, 13 vite më parë e dhunuan në banesën e tij

Disa vite më parë, ai ka bërë një kallëzim penal për një rast vetëgjyqësie pranë Prokurorisë së Tiranës.

k.m.
"Qitës profesionist nga dhoma e hotelit...'/ Ekzekutimi i
Eduart Reçi

TIRANË- Detaje të reja janë mësuar për të shkuarën e biznesmenit që u vra me një plumb në kokë poshtë pallatit ku banonte. Eduart Reçi në të gjithë punën e tij edhe si ndërtues, ka pasur një konflikt pronësie. Disa vite më parë, ai ka bërë një kallëzim penal për një rast vetëgjyqësie pranë Prokurorisë së Tiranës. Kjo pasi kishte problem me pronarin e një toke pranë pallatit që ai ka ndërtuar në rrugën e Elbasanit. Gazetarja Klodiana Lala, ka qenë e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", tregoi detaje nga dosja, duke shtuar edhe informacionet që dihen deri më tani për planin e ekzekutimit të tij. Sipas saj, ekzekutimi i biznesmenit dyshohet se është bërë nga një qitës profesionist, pasi është goditur nga distanca, por 'përgatitja' është bërë një javë para se të kryhej ekzekutimi. Po ashtu edhe nga ekspertiza paraprake dyshohet se është qëlluar nga lart poshtë.

Ndaj edhe Policia po heton si pistë që mund të jetë qëlluar në distancë ku autori mund të ketë qenë vendosur në ndonjë tarracë aty pranë, apo ndonjë hyrje apartamenti.

Po ashtu, edhe gazetari Spartak Koka ka zbardhur një tjetër ngjarje ku ishte i përfshirë biznesmeni. Në emisionin "Opinion", Koka zbuloi se 13 vjet më parë, në të njëjtën datë kur edhe u ekzekutua, pra 13 nëntor, Eduart Reçi ishte dhunuar në banesën e tij 6 persona. Edhe në këtë rast kishte një konflikt për pronësinë.

Klodiana Lala: Disa kohë më parë ka bërë një kallëzim penal për një rast vetëgjyqësie për një person që në pallatin ngjitur ka një pronë. Por kjo çështje është mosfilluar nga Prokuroria e Tiranës. Ndaj edhe dosja është hapur sërish për të parë nëse ka lidhje. Asnjë nuk e ka kuptuar sepse gjatë gjithë javës në zonë janë hedhur fishekzjarrë, kështu që dhe ditën që ndodhi ngjarja nuk është kuptuar se ka pasur të shtëna. Madje ishte sinjalizuar edhe Policia se përse kishte kaq shumë fishekzjarrë në atë zonë. Kamerat e sigurisë shfaqin momentin kur Reçi bie në tokë pa ndjenja, por nuk e shfaqin autorin. Tani po i shohin të gjitha kamerat se kush ka qenë në dhomat e hotelit apo në ndonjë pallat të lartë për të parë kush mund të ketë qëlluar ndaj Eduart Reçit. Ajo që u mendua si një ngjarje e thjeshtë, tani është zbuluar se ka pasur përgatitje dhe flitet për një person të specializuar që ka bërë qitje në distancë.

Spartak Koka: 13 vjet më parë, në të njëjtën datë 13 nëntor, Eduart Reçi ka denoncuar se 3 shtetas, 6 total, por 3 të identifikuar me inicialet NP, XB dhe SA, e kanë goditur me grushta, shkelma dhe mjeta të forta, Eduart Reçin dhe nipin e tij. Dëmtimet kanë qenë të shumta. Dyshohej për një problem në raport me pronësinë.

52-vjeçari u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e 13 nëntorit teksa po kthehej në banesë, pikërisht pranë disa pallateve që i kishte ndërtuar vetë. Ish-drejtori i SHISH ishte i vetëm dhe mesa duket, autori e ka ndjekur për një kohë të gjatë dhe ka përfituar nga momenti kur e ka gjetur të ‘pambrojtur’ për ta sulmuar me armë zjarri. Madje raportohet se në momentin kur u qëllua, Reçi ishte duke folur në telefon. Edhe pse mori një plumbë në kokë, 52-vjeçari luftoi me vdekjen në spitalin e Traumës, por nuk ia doli që të shpëtonte dot./ZËRI

Poll

MOS HUMB