
TIRANË- Një përplasje ka ndodhur në protestën e sotme para Ministrisë së Brendshme. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, fill pasi Arlind Qori, kreu i "Lëvizja Bashkë" mbaron fjalën, për në podium niset Adriatik Lapaj. Por dikush, që më vonë u identifikua si Redi Muçi, i del para dhe i merr mikrofonin nga dora duke e ndaluar që të mbajë fjalën e tij.
"Shënoni emrin në listë dhe mund të flisni, mbani fjalën tuaj. Kemi një listë, ku është organizimi. Duhet të prisni radhën! Ka një radhë! Ne jemi nga Lëvizja Bashkë, i kemi marrë leje Policisë për protestë. Policia të ndërhyjë dhe të sigurojë mbarëvajtjen e kësaj proteste,"-i thotë Lapajt personi që i ka marrë mikrofonin. Në këto kushte, i vendosur për të thënë edhe fjalën e tij, Lapaj merr një megafon dhe tenton që të flasë, por protestuesit e mbledhur nga Qori nisin me thirrje duke mos i dhënë mundësinë që të vijojnë me fjalën.
Në këto kushte, Lapaj bashkë me qytetarët që kishte pranë vetes është vendosur në një tjetër anë të godinës së Ministrisë për të çuar deri në fund fjalën që nisi dhe nuk e lanë që ta përfundonte. Në fjalën e tij, Lapaj tha se kishte shkuar në protestë për t'ju bashkuar kauzës, duke lënë mënjanë egon personale, por për të mbështetur të drejtën. Por duke marrë shkas nga (mik)pritja që iu bë, nuk i kursye akuzat ndaj "Lëvizjes Bashkë". Për Lapajn, ata janë komunistë dhe "protestues me qera".
"Të dashur miq dhe vëllezër, kjo republikë ka vuajtur ekzaktësisht nga modeli i atyre që jetën publike, atdheun e trajtojnë si pronë. Është ai model që sapo patë që në vitin '45 pushkatonin pa gjyq. Nuk ka komunistë të ri që na ndalon ne që të ngrejmë zërin sepse sheshi nuk është i Adriatikut por nuk është as i komunistëve. Për detyrën kombëtare kemi ulur egon dhe iu bashkuam protestës, por gjetëm sjelljen e atyre që dje pushkatonin pa gjyq, ndërsa sot punojnë si protestues me qera dhe janë kundër bashkimit për të përmbysur bandën që kanë marrë peng Shqipërinë. Në këto rrugë nuk jam për mikrofona se kam udhëhequr protesta pa fund dhe kam ky flas, por shkuam aty për kauzën, por komunistët e shekullit të ri duan ta mbajnë pezull Shqipërinë,"-tha Lapaj në fjalën e tij.
Përgjigjen për akuzat e tij e mori në "Facebook" nga Arlind Qori, i cili edhe pse ishte në vendin ku ndodhi incidenti, zgjodhi që të mos ndërhynte. Në reagimin e tij, Qori pretendon se fillimisht ata që shoqëronin Lapajn kishin akuzuar "Lëvizjen BASHKË" se po e përdorte protestën për vota. Më pas, shpjegoi edhe incidentin me Lapajn.
"Redi Muçi me qytetari po i thoshte se në protestë flitet me radhë dhe kushdo që do të flasë duhet të shënojë më parë emrin në listë dhe të presë radhën. Kështu që mjaftonte të respektonte rregullat dhe radhën dhe do t'i jepej fjala sa të donte. Ku hante pykë nga argumentet dhe qytetaria gjeli në majë të podiumit?! Ku donte t'ia dinte ai se radhën për të folur e kishte ish-minatori pensionist Qani Shino?! Përpara këtyre edhe Flamur Noka duket xhentëllmen. Se çfarë i ka motivuar këta provokatorë nuk jam i sigurt. Nesër në orën 17:00 u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkohemi sërish përpara Ministrisë së Brendshme për të kërkuar transparencë dhe shkarkimin/dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm,"-shkruan ndër të tjera Qori.
PROVOKATORËT NË PROTESTË
Nuk mund të kalonte pa provokime protesta e Lëvizjes BASHKË për të kërkuar transparencë për ngjarjen ku u përfshi polici fatkeq Azbi Spahiu dhe i biri i oligarkut Samir Mane. Nuk mjaftuan gënjeshtrat e Ministrit të Brendshëm, fjalët kodra pas bregut të Sali Berishës dhe heshtja e mediave. Samir Manes dhe Edi Ramës u duheshin edhe provokatorët. Hyn në skenë provokatori i parë, një djalë i gjatë që në fillim të protestës del përpara kamerave dhe nis të shajë Lëvizjen BASHKË se po e përdor protestën për vota. Pas kërkesave të panumërta ndaj policisë për të larguar prishësin e protestës që shtyhej e shante kë t'i dilte përpara, më në fund policët e larguan. Pas thirrjeve të shumta kundër oligarkisë dhe qeverisë, nisën fjalimet. Unë e kam regjistruar emrin të katërtin. Pas fjalimit tim ia jap mikrofonin drejtuesit të protestës, pedagogut Redi Muçi. Kur kthej kokën shoh që në majë të podiumit të Lëvizjes BASHKË - në protestën e thirrur më parë se kushdo tjetër nga Lëvizja BASHKË dhe për të cilën Lëvizja BASHKË kishte marrë edhe lejen në polici - kishte mbirë Adriatik Lapaj dhe po kërkonte të merrte me forcë mikrofonin. Redi Muçi me qytetari po i thoshte se në protestë flitet me radhë dhe kushdo që do të flasë duhet të shënojë më parë emrin në listë dhe të presë radhën. Kështu që mjaftonte të respektonte rregullat dhe radhën dhe do t'i jepej fjala sa të donte. Ku hante pykë nga argumentet dhe qytetaria gjeli në majë të podiumit?! Ku donte t'ia dinte ai se radhën për të folur e kishte ish-minatori pensionist Qani Shino?! O i hapej rruga, siç iu hap rruga të birit të Samir Manes, o do bënte skandal. Për të zaptuar foltoren i erdhën në ndihmë edhe ca djem trupmëdhenj që shtynin e shanin vajza, djem e pleq që kërkonin vendosjen e rregullit në protestë. Ky akt i turpshëm provokimi nuk ka ndodhur asnjëherë në 34 vjet pluralizëm në Shqipëri. Një parti (Lëvizja BASHKË) thërret protestën. Pas disa orësh një tjetër parti thërret protestë në të njëjtën orë e në të njëjtin vend. Pastaj vijnë në protestën e Lëvizjes BASHKË dhe orvaten të marrin fjalën me dhunë. Përpara këtyre edhe Flamur Noka duket xhentëllmen. Se çfarë i ka motivuar këta provokatorë nuk jam i sigurt. I paguan Samir Mane apo janë gati të bëjnë gjithçka dhe të thyejnë çdo normë shoqërore e politike për egon e tyre të sëmurë dhe sensin delirant të protagonizmit? Koha do ta tregojë. Ama e sigurt është që ai provokim i shëmtuar dhe i qëllimtë i ka shërbyer Samir Manes, Edi Ramës dhe të gjithë llumit që na qeveris prej dekadash. Lëvizja BASHKË do t'i vazhdojë protestat për të kërkuar të vërtetën për rastin e policit Azbi Spahiu. Nesër në orën 17:00 u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkohemi sërish përpara Ministrisë së Brendshme për të kërkuar transparencë dhe shkarkimin/dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm.
Një reagim për atë që ndodhi në tubim erdhi edhe nga Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje. Në një reagim në rrjetet sociale, Shabani thekson se kjo është një ngjarjen e shëmtuar dhe sjellje e politikës së vjetër. Në fjalën e tij, ai tha se nuk duhet e nuk mund të ketë pronarë kauzash.
"Sapo ndodhi një ngjarje shumë e shëmtuar ku Lapaj u dhunua nga drejtues të Lëvizjes Bashkë. Përveçse e larguan me dhunë i bënë thirrje Policisë që ta merrte zvarrë. Ky mentaliteti ku djegim Shqipërinë për karrierën e një njeriu, është ide e politikës tjetër. Kjo ideja që ka pronarë kauzash do të thotë që këta nuk duan ta zgjidhin problemikën. Ju lutem tërhiquni nga ky mentalitet dhe model bolshevik. Të rinjtë duhet që të bëhen bashkë dhe të vendosin Shqipërinë para karrierës,"-tha Shabani.
MOMENTI ME VIDEO:
Protesta u thirr nga kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, pas spekulimeve në lidhje me shkakun e vërtetë të kryerjes së aktit të vetëflijimit nga efektivi, Azbi Spahiu. Edhe pse ky i fundit po mjekohet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, e në kushtet që familja kërkon që të mos ketë aludime për shkakun e aktit të rëndë, protesta sot u zhvillua. Kërkesa për tubim u bë nga Qori, por në shenjë bashkëpunimi iu bashkua edhe "Shqipëria Bëhet", por duket se ky akt nuk u prit mirë dhe përfundoi në përplasje mes palëve./ZËRI