
TIRANË-Ashtu si dhe ishte paralajmëruar qytetarët kanë dalë në protestë, pas ngjarjes së ndodhur më 15 janar, ku një punonjës i Policisë Rrugore të Tiranës u hodh nga një pallat. Protesta u thirr nga kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, pas spekulimeve në lidhje me shkakun e vërtetë të kryerjes së aktit nga efektivi, Azbi Spahiu. Kështu që me thirrjen nga Qori, protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Brendshme me pankarta në duar: "Shteti i oligarkëve".
Një ditë më parë (19 janar) familjarët e policit të qarkullimit rrugor, Azbi Spahiu, i cili u hodh nga lartësia e një pallati në kryeqytet, tregojnë se fatmirësisht gjendja shëndetësore e familjarit të tyre është drejt përmirësimit. Por, edhe pse vlerësojnë shqetësimet për gjendjen e efektivit, kërkojnë qetësi deri në rikuperimin e plotë të 57-vjeçarit.
Në lidhje me rastin një reagim erdhi edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, pas polemikave dhe informacioneve që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në portale në lidhje me një rast tragjik, ku një punonjës i Policisë Rrugore të Tiranës u hodh nga një pallat. Sipas tij, nuk ka prova që ai ka tentuar të vrasë veten për shkak të presionit. E po ashtu, edhe AMP tha se deklarata e administruar nga efektivi tregon se ai nuk ka ngritur asnjë pretendim lidhur me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Ngjarja ndodhi më 15 janar në rrugën “Kongresi i Manastirit”. 57-vjeçari me detyrë Specialist i Qarkullimit Rrugor, ndodhet nën kujdesin e mjekëve./ZËRI