Aktualitet

Protesta e dhunshme/ Kush është investitori "strategjik" që trazoi ujin e banorëve të Matit?

Pas këtij projekti qëndron kompania “Doma Group sh.p.k.”, e cila ka aplikuar për ndërtimin e hidrocentralit që në vitin 2013, por procesi është bllokuar për një periudhë të gjatë dhe rifilloi vetëm në vitin 2020.

l.k
Protesta e dhunshme/ Kush është investitori "strategjik"
PAMJE NGA PROTESTA

MAT- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur së fundmi në zonën e Matit, konkretisht në fshatin Vinjoll, ku disa të rinj kanë ushtruar dhunë ndaj përfaqësuesit të një kompanie që po ndërton një hidrocentral në këtë zonë. Shkak i përplasjes mësohet të ketë qenë pakënaqësia ndaj ndërhyrjes në burimet ujore që përdoren prej dekadash nga banorët për ujë të pijshëm dhe bujqësi.

Po kush është investitori "strategjik"?

Pas këtij projekti qëndron kompania “Doma Group sh.p.k.”, e cila ka aplikuar për ndërtimin e hidrocentralit që në vitin 2013, por procesi është bllokuar për një periudhë të gjatë dhe rifilloi vetëm në vitin 2020. Sipas dokumenteve zyrtare, Këshilli Kombëtar i Territorit në datë 24 prill 2024 ka miratuar lejen për vijimin e punimeve të hidrocentralit mbi përroin e Lusës, një degë e lumit Mat. Më pas, Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka dhënë lejen përfundimtare më 23 janar 2025.

Kompania është në pronësi të vëllezërve Doma, konkretisht Ashim (Hashim) Doma, i cili njihet si figurë e lidhur me biznesin dhe politikën lokale. Ai ka qenë më parë edhe kandidat për deputet në zonën e Dibrës, përfaqësues i Partisë Socialiste në vitin 2013. Për momentin, ai shërben si administrator i kompanisë “Doma Group” dhe është përfshirë në ndërtimin e dy hidrocentraleve në zonë: HEC-i në Vinjoll dhe HEC-I Doma.

Le të rikthehemi te ngjarja!

Banorët e zonës kanë shprehur shqetësime të mëdha për ndikimin që këto projekte kanë mbi jetën e përditshme, veçanërisht mbi furnizimin me ujë të pijshëm dhe për vaditje. Protesta e fundit, e cila u shoqërua me akte dhune ndaj 39-vjeçarit Ashim Doma është tregues i tensioneve të akumuluara në komunitet prej vitesh ndaj investitorëve stategjikë që po marrin në përdorim burimet ujore të vendit. Sakaq, Policia njofton se ka çuar për ndjekje penale disa banorë të fshatit Kurçelaj në Mat.

Njoftimi i plotë:
Mat

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vetëgjyqësia” dhe “Shkatërrimi i pronës” në ngarkim të shtetasve: H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç, L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos.

Këto shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se kanë dëmtuar një automjet në pronësi të një shoqërie që po kryen punime për ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Kurqelaj, si dhe kanë goditur me grushta në pjesë të ndryshme të trupit, një 39-vjeçar, investitor i kësaj shoqërie./ZËRI

Poll

MOS HUMB